ATA QË JANË LART
Ata që janë në majë
u bashkuan në një dhomë.
Njeri i rrugës
lër çdo shpresë.
Qeveritë
firmosin marrëveshje mossulmimi.
Njeri i zakonshem,
firmos testamentin tënd.
VËLLAI IM AVIATOR
Vëllai im ishte aviator.
Një ditë mori zarfin.
Bëri valixhet dhe iku,
përgjatë rrugës së jugut.
Vëllai im është një pushtues.
Populli ynë ka nevojë për
hapsirë. Dhe të marrësh tokë mbi tokë,
nga ne, është një ëndërr e vjetër.
Dhe hapsira që u pushtua
është në malet e Guadarramës
Është e gjatë një metër e tetëdhjetë
e në thellësi, një e pesëdhjetë...
NË ÇASTIN E MARSHIMIT
Në çastin e marshimit shumë nuk dinë
që në kokat e tyre marshon armiku.
Zëri që i komandon
është zëri i armikut të tyre.
Dhe kush flet për armik
është ai vetë armiku.
MBI MUR ËSHTË SHKRUAR ME SHKUMËS
Mbi mur është shkruar me shkumës
duan luftë.
Kush e ka shkruar
Tashmë ka rënë.
KUR LUFTA FILLON
Ndoshta vëllezërit tuaj do të transformohen
dhe fytyrat e tyre nuk do të njihen.
Por ju duhet të mbeteni të njejtët.
Do të shkojnë në luftë, jo
si në një masakër, por
në një punë serioze. Gjithçka
do ta kenë harruar.
Por ju asgjë s’duhet të harroni.
Do t’ju derdhin raki në grykë
si tërë të tjerëve.
Por ju duhet të mbeteni të kthjellët.
GJENERAL, TANKSI YT
Gjeneral,
tanksi yt është
një makinë
e fuqishme.
Sheshon një pyll,
zhbën qindra
njerëz.
Por ka një të metë:
ka nevojë për një
tankist.
Gjeneral,
bombardieri yt është
i fuqishëm.
Fluturon më shpejt
se një furtunë dhe
mban më shumë se një
elefant.
Por ka një të metë:
ka nevojë për një
mekanik.
Gjeneral,
njeriu bën çdo gjë.
Mund të fluturojë e
mund të vrasë.
Por ka një të metë:
mund të mendojë.
Perktheu Keti Dibra
Comments