Perktheu Keti Dibra
Në veri të Manantiales, fshat naftëmbajtës i Tokes se Zjarrit, ngrihen pesëmbëdhjetë o njëzet shtëpi të një fshati peshkatarësh, i quajtur Angostura, ose më mirë, “ngushtica”, sepse ndodhet tamam përpara tkurrjes së parë të ngushticës. Shtëpitë janë të banuara vetëm gjatë verës së shkurtër të hemisferës jugore. Mandej, gjatë vjeshtës fluturake dhe dimrit të gjatë, nuk janë tjetër veç një pikë referimi në peizazh.
Angostura nuk ka varrezë, por ka një varr, një varr i vogël i lyer në të bardhë , që sheh nga deti. Aty pushon Panchito Barría, një djalë i vogël i vdekur prej njëmbëdhjetë vitesh. Në tërë botën jetohet e vdiset, por rasti i Panchito-s është tragjikisht i veçantë, sepse fëmija vdiq nga trishtimi.
Para se të mbushte tre vjeç, Panchito qe sëmurë nga poliomieliti, që e la invalid. Prindët e tij, peshkatarë të Shën Grigorit në Patagonia, çdo verë përshkonin ngushticën për t’u vendosur në Angostura. Sillnin me vete fëmijën e tyre, si një deng i dhemshur, që rrinte i ulur mirë mbi mbulesa duke parë detin.
Deri ne pesë vjeç Panchito Barría qe një fëmijë i trishtuar, i pashoqërueshëm, gati i paaftë për të folur. Por një ditë të bukur ndodhi një nga ato mrekullitë, që duken të natyrshme në jug të botës: një grup prej njëzet o më tepër delfinësh jugor u shfaqën përballë Angosturës, në kalimin e tyre nga Atlantiku në Paqësor.
Banorët e vendit, që më kanë treguar historinë e Panchito-s, më thanë se sapo i pa, fëmija lëshoi një ulërimë çjerrëse dhe pak nga pak me largimin e tyre, thirrjet e tij shtoheshin e bëheshin më dëshpëruese. Dhe, në fund, kur delfinët tashmë ishin zhdukur, nga goja e fëmijës shpëtoi një thirrje e mprehtë, një tingull therës, që alarmoi peshkatarët, por që bëri të kthehej mbrapsht një nga cetacët.
Delfini u afrua në breg dhe filloi të bënte hedhje në ujë. Panchito e nxiste me nota akute që i gufonin nga fyti. Të gjithë kuptuan që ndërmjet fëmijës dhe delfinit ishte vendosur një formë komunikimi që përjashtonte dyshime dhe sqarime. Kishte ndodhur, sepse jeta është e tillë. Pa shtuar asgjë.
Delfini qëndroi para Angosturës për gjithë verën. E kur afrimi i dimrit detyroi braktisjen e vendit, prindët e Panchito-s dhe peshkatarët e tjerë vunë re të habitur që te fëmija nuk ishte as gjurma me e vogël e dhimbjes. Me një qetësi të padëgjuar për pësë vitet e tij, u shpreh që edhe miku i tij delfin do të largohej, sepse përndryshe akujt do ta kishin zënë në kurth, por që vitin e ardhshëm do të kthehej.
Verën që pasoi delfini u kthye.
Panchito ndryshoi, u bë një fëmijë fjalëshumë, i gëzueshëm, arriti të bënte shaka me gjendjen e tij prej invalidi. Ndryshoi rrënjësisht. Lojrat e tij me delfinin u përsëritën për gjashtë vera. Panchito mësoi të lexojë, të shkruajë, të pikturojë mikun e tij delfin. Bashkëvepronte si të gjithë fëmijët e tjerë në riparimin e rrjetave, përgatiste çakëll, thante frutat e detit, gjithnjë me mikun e tij që kollotumbej në ujë, duke kryer trimëri vetëm për të.
Një mëngjes të verës së 1990-ës, delfini nuk erdhi më në takimin e tij të përditshëm. Të alarmuar, peshkatarët e kërkuan duke spastruar krejt zonën nga kreu në fund. Nuk e gjetën, por ndeshën një anije-oficinë ruse, një nga vrastaret e detit, që lundronte ne afërsitë e vendit të kufizuar të ngushticës.
Dy muaj më vonë, Panchito Barría vdiq nga trishtimi. U shua pa qarë, pa mërmëritur një ofshamë.
Unë e vizitova varrin e tij dhe që aty pashë detin, detin gri dhe të shqetësuar nga fillimet e dimrit. Deti, ku pak kohë më parë luanin delfinët.
Comments