top of page

Koha kaloi, njerezit u ndane, distancat jane te medha. Takohen ne bulevardin e xhamte te ekraneve


Nga Inis A Jorgo


BULEVARDI I XHAMTË


Të gjithë ne që arritëm të shijojmë të dy shekujt: të shkuarin dhe fillimin e shekullit të ri, nuk na ka habitur aspak martesa e teknologjisë me shpirtin.


Duket si e cuditshme por ky kombinim ngjan si ato martesat që pak-kush i beson ndërkohë që ato, qetësisht, vazhdojnë kombinimin e tyre.


U bë kohë që s’takohemi si më parë me miqtë, por u mësuam edhe pse, e vuajtëm jo pak shthurjen e këtij zakoni. Tashmë, lumin e emocioneve, e mallit është një ekran i xhamtë që e komandon! Një ekran që na bën të “shëtisim” e sfidojmë jo pak shpirtin përmes teknologjisë e cila tashmë, ka gjithshka në dorë!


“Stuhia” e mrekullueshme teknologjike që tundi jo pak shekullin e shkuar, po fuqizon frikshëm e cdo sekondë edhe shekullin e ri.


Pakuptuar vitet kalojnë e ti nuk arrin ta kuptosh shpejtësinë e tyre! Ato arratisen si rëra gishtërinjve e një ditë ti, realizon sa kohë ka shkuar qëkur ke “takuar” atë, këte, apo edhe atë tjetrin. Gjithshka, falë këtij bulevardi të xhamtë, i cili ka marrë jo pak përsipër!


Atje ti sheh herë pas here fotot e tua që dikur s’të kanë pëlyer aspak ndërkohë që sot, s’po stë duken edhe aq keq..


Ne gjetëm dhe e ritakuam njëri tjetrin në tjetër kohë, hapësirave të tjera. U ripamë, përmes këtij bulevardi të xhamtë, u shtrimë në këtë shtrat emocionesh, e u harruam jo pak e kjo, do ndodhë përherë kështu!


Unë bëj pjesë tek grupi i atyrë që ikën larg. Lëvizja e të gjithëve ne të ikurve ngjan e njëtrajtshme. Dukemi sikur sjemi më, sikur tymnaja e kohës diku na fshehu por lëvizja e dallges tonë njerëzore ngjan me një re dallëndyshesh që fluturon përsosmërisht njësoj duke tentuar t’i shmaget kohës. Duke dashur ta sfidojë atë!


Të mbeturit andej, ata që guxuan të mos guxonin, hedhin në bulevardin e xhamtë, boshllëkun dhe mallin për ne që guxuam. Nëse e sheh, edhe lëvizja e tyre është përsëri një reagim i njëjtë me kohën e shpirti i të dy palëve “shëtit” me frekuenca të njëjta në bulevardin e ri të xhamtë. E kjo bëhet për t’u parë, dëgjuar, e shkruar. Për t’u ndjerë!


Pse duhet të jem në dilemë e të mendohem se koha nuk qenka iluzion? Sepse pikërisht ky ekran, i akullt, i pakorruptueshëm nga asgjë, i ftohtë, i heshtur që luan me mua, me ty e me mallin të gjithëvë ne, ky bulevard prej xhami është ai që arrin të na cojë të gjithëve kudo! Të të afrojë ku don, apo te te mundesoje ti vësh llozin një derë të xhamtë kur stë pëlqen.


Koha vazhdon të vrapoje, ndaj edhe është e tillë: që të ikë e të marrë me vete ngjarje jetësore, sekrete, intriga, shpikje, pendime, rifillime duke na lënë neve durimin e bërë të kuptojmë se kemi sfiduar jo pak.


Gjatë këtij procesi, e tërë kjo dallgë njërëzore, ja fal veten viteve.


Eshtë bulevardi i xhamtë ai që na kalon përpara syve fotot e fëmijëve tanë, dikur të vegjel me ato shikime jo të sigurta ndërkohë që sot, po në këtë boulevard, ata shihen nën pelerinat e zeza tek hedhin në ajër kapelet e universiteteve të cilat, më shumë se uniforma, më ngjasojnë më valvula shkarkimi studentor. Prindërit janë atje pranë tyre, të ngazëlluar e kapur fort për krahëve të bijërve e ky moment, meriton të urohet, fiksohet, të mos harrohet! Në këtë bulevard të xhamtë shihet edhe ky ritual e s'ke se si mos ta mendosh se sado e vështirë të të duket martesa e teknologjisë së akullt me shpirtin, ky binom do rezistojë !


Mes këtij komunikimi të njëtrajtshëm, kur s’e ke kuptuar deri në fund sa shumë nga koha jote bulevradi i xhamtë rrëben, unë e lë ekranin, marr një cigare e dal të shplodhem në ballkon. Qetësi… jam e vetme e ulur në mes të natës për të folur më të… Rrotulloj sytë e shoh një yll në qiell, një yll që më cpon ëmbël me shikimin e tij. Mos po më sheh mua ? Apo po më duket ? Apo është duke të parë ty?


Ylli na sheh të dyve! Të gjithëve na vështron ai yll ! Neve këtëj e të tjerët mijra km larg nesh! Na sheh ai të ndërrojmë ditët, kur kërkojmë, kur humbim, aspirojmë, dashurojmë, refuzojmë, rrëzohemi, e ngrihemi. Ai sheh njerëzimin tek ndryshon aq pakuptuar ndërkohë që vetë , qëndron po aty.

E kthehem pranë bulevardit tim të xhamte, atje ku vajzat duken të argjendëta, gratë yje, politikanët të dedikuar, meshkujt besnikë dhe prindërit, të pavdekshëm! Ky bulevard është një lojë ironie e mallit tim me pamundësinë me, me, me...Trotuari i xhamtë, pa u ndjerë, ka gllabëruar bulevardin tonë të dikurshëm që sot vuan i invaduar nga makinat e pashpirt, pa fjalë, pa emocione. Bulevardi ynë dikur i gjerë e plot zhurmë, është përpirë tashmë nga ky ekran që mbahet lehtas në dorë.


Jeta është spostuar nga e prekshmja në të paprekshmen, nga ngjyrat e zhurmat në kuadrate xhamash që nëse i bashkon janë jetë! Jeta sot, nuk mund të preket si dikur, po thjesht është shifërzuar në kode të cuditshme, në komanda strikte.


Jo rrallë na zë syri njoftimin se dikush e ka të sëmurë babain, shumë të sëmurë dhe mbase fluturimi pashmagshëm, i gjatë, nuk do e lejojë as ta shohë për të fundit herë.


Bulevardi i xhamtë heshturazi del në krah. Ndihen aty, psherëtimat sepse xhami i heshtur na lejon të psherëtijmë nepermjet ikonave përsosmërisht të gjetura. Eksklamacionet shfaqen mbi xham, por sot, ti nuk i dëgjon më ato. Ti sot, thjesht sheh atë që duhet të dëgjoje.


E ja, pas disa orësh, nën emrin e mikut, shfaqet nje gjysëm kordhele e zezë, stoike, që duket sikur mezi kishte pritur të shfaqej por që arrin të tërheqë pranë saj, shumë herë më tepër njerëz, se sa gjinden pranë atij arkivoli të heshtur.


Koha ikën e ne, i shkojmë të gjithë nga pas. Sa duam ta kapim, ta mbërrijmë e mundësisht ti themi, "ndal", por a ka mundur dikush në këtë shekull, në të shkuarin apo edhe më parë ta ketë bërë dot këtë? A do ndodhë kjo ndonjëherë kur të gjithë NE të jemi bërë histori?


Unë vetë, vazhdoj të postoj foto të viteve të shkuara; është bërë fare padashje fillimisht po jo më tani! Loja me kohën është si të luash me pasqyrën e thyer, sepse në ato foto ti e sheh veten ashtu sic nuk je e koha, kjo emblemë kujtimesh që di të ti vjedhë detajet, kjo e privilegjuar që ka të drejtë të rivlerësojë atë që shkoi, na bën të mendojmë që,, si ne të ikurit larg por edhe të mbeturit në ate gadishull te vjetër, jemi pjesë të të njëjtit dallgëzim njerëzor, të së njëjtës jetë!


Tashmë e tërë bota shëtit në këtë bulevard të xhamtë!


Koha vështron brezat të lindin, rriten, lulëzojnë, moshohen derisa shuhen e tashmë të gjitha këto procese, shihen, preken, përcillen vecse këtu!


U bë kohë që s’i kam parë mikeshat e mia të vjetra. Dikur ato nuk më linin rehat me telefonatat e tyre ndërkohë që sot, sot marr ca mesazhe me fjalë të shkurtuara, por që mbartin nxitim e impuls freskie. Miket, përmes bulevardit të xhamtë njoftojnë ndryshimin e statusit duke na bërë të mallëngjehemi pas një fotoje ku një dorë e vockël ka mbërthyer instiktivisht e pakthyeshëm, dorën më të madhe. E unë, unë i vështroj, cuditëm, mallëngjehem dhe mendoj, “ja këtë të sjellin vitet që ti le pas". Ato i sjellin tjetër timbër jetës, I ofrojnë vazhdimin duke na kujtuar se të gjithë jemi peng të kohës, se papërjashtim që të gjithë ne, jemi peng të këtij bulevardi të xhamtë!


Inis A Jorgo, Toronto



1 Comment


ciao1925
Feb 06, 2022

l

Like
bottom of page