KETI DIBRA - DUART
Edhe
të gënjejnë
sytë
kur qëllimshëm
qetësi
rrëmbejnë.
Duart, jo.
Nuk fshehin
dot.
Të lakuriqta
të përballen e
ti lexon.
Në je
i sjellshëm,
a nga zelli
shtiresh.
Në ke gjë
brenda,
a bosh
vërtitesh.
Në di të
duash,
a zhveshur
je nga kjo.
Në di të
mbash diçka
të vlerë,
a e lëshon shkujdesur,
pa menduar.
Por duart janë edhe mëkataret më të mëdha.
Mëkatare më shumë se goja?
Duart rrëmbejnë,dhunojnë,vrasin.
Janë të frikshme,shkatërrimtare.
Eva këputi mollën e ndaluar.
Me duart e tij Kaini vrau Abelin.
Duar mëkatare kryqëzuan Krishtin.
Kanë qenë duar ato, që kanë zbatuar urdhëra vrastare e kanë mbjellë vdekje.
Janë duar ato, që venë në veprim planet e "mendjeve të nxehta".
Janë duart, që masakrojnë e shfarosin vetveten!
Duar, që marrin jetë njerëzish dhe duar, që ndihmojnë jetën të lindë.
Aq sa rëndon mallkimi për duar vrastare,po aq lartohet edhe himni për duar që ndërtojnë e rindërtojnë jetën.
Me çfarë paradoksesh eshtë thurur ekzistenca njerëzore!
Janë
mëkatare,
duart.
Më shumë
se goja?
Duar
që rrëmbejnë,
dhunojnë,
vrasin.
Janë
të frikshme,
shkatërrimtare.
Eva
këputi mollën.
Kaini
vrau Abelin
me to.
Kryqëzuan
Krishtin
duart
mëkatare.
Mbjellin
vdekje
duart
vrastare.
Kryejnë
urdhëra
te mendjeve
"te nxehta".
Duar
që shqyejnë,
shfarosin
vetveten!
Duar
të ndyra
që marrin
jetë,
duar
të pastra,
që bekojnë
jetë.
Rëndon
një mallkim,
lartohet
nje himn.
Çfarë paradoksesh
pjell jeta!
PABLO NERUDA - POEZIA
Ndodhi në atë moshë...
Erdhi poezia
të më kërkonte. Nuk e di,
nuk e di nga doli, nga cili
dimër,apo nga
lumi.
Nuk di si, as
kur,
jo, nuk ishin zëra
nuk ishin
fjalë, as heshtje,
por nga diku
më thirri,
nga hijet e
natës,
befas, mes
të tjerëve,
mes zjarreve të dhunshme,
apo duke u kthyer vetëm,
ishte aty,pa fytyrë
dhe më preku.
Unë nuk dija çfarë
të thosha,goja ime
nuk arrinte
të rrokëzonte,
sytë e mi ishin
të verbër,
diç regëtinte
në shpirtin tim,
ethe apo flatra
të humbura,
dhe shkova
vetëm duke zbërthyer
atë përndezje,
shkrova rreshtin
e parë të paqartë,
të paqartë,pa trup,
marrëzi e kulluar,
njohje e pastër
e atyre që s'dinë
asgjë dhe
papritmas
pashë
qiellin
të shkokëluar,
të hapur,
planete,
plantacione
drithëruese,
hije të shqyera
gërshetuar
me shigjeta,
zjarr e lule,
natë e stuhishme,
universi.
E unë, qenie
e vogël,
i dehur nga
boshi
i madh
i yllëzuar,
në ngjashmërinë
e imazhit
të misterit,
u ndjeva pjesë
e pastër
e humnerës,
u rrotullova me
yjet,
dhe zemra ime
u shkri
me erën.
Perktheu Keti Dibra
Comments