HESHTJE
Vitet
mblidhen e
thinjen si
gjethet që
zverdh
vjeshta.
Heshtje...
Përgjon
brendësinë e
s’dihet si
nga kujtesa
ke fshirë
vite e
flakur tutje
pjesë të
vetes tënde.
Zvogëlohen
dëshira e
ndoshta
në vite
fiton
harresa.
Por heshtja
ngacmon
gërryen
rizgjon.
E ti rrëmon
në kohën cung
cukit
të shkuarën
prek të
tashmen
përhumbesh në
mendim.
BRERIM SHIU
Asnjëherë s'kisha parë aq dritë në një ditë shiu.
Rrezet kryeneçe
të diellit
kishin mundur
të çanin
vende vende
vransiren dhe
përzier me shiun
spërkatnin dendur
tokën.
Një shkëlqim
i pazakontë më derdhej
përsipër.
Dritësonin
pemët
shtëpitë
asfalti
njerëzit.
Pellgjet e shiut
rikthenin verbueshëm
dritën dhe unë,
a thua se fluturoja, ecja
e mrekulluar
nga ai shi
i imët
i ngrohtë
intim
që më rrethonte
me tërë
atë dashuri.
Unë ecja dhe
sipër meje,
si një aureolë
gjigante,
përvijohej ylberi.
Isha një kalimtare.
Kurrë më parë
s'e kisha dashur
shiun.
Comments